Zelensky: Ukraina do të kërkojë një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të sulmeve ruse

Zelensky: Ukraina do të kërkojë një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të sulmeve ruse

VARSHAVË – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se Ukraina do të kërkojë një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me sulmet e sotme të ushtrisë ruse në Ukrainë, në të cilat u vranë të paktën 29 persona dhe u dëmtua një spital për fëmijë.

Zelensky vuri në dukje se Ukraina do të krijojë një "legjion të ri" në territorin polak dhe u bëri thirrje të gjithë ukrainasve që jetojnë jashtë vendit t'i bashkohen atij.

Kryeministri polak Donald Tusk tha se askush nuk mund të flasë për paqen në Ukrainë pa pjesëmarrjen e Kievit, duke shtuar se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Polonisë në synimin e saj për t'u bërë anëtare e NATO-s.

Zelensky dhe Tusk nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për garancitë e sigurisë, e cila është dokumenti i 21-të i lidhur në fushën e sigurisë midis Ukrainës dhe partnerëve të saj.

Volodymyr Zelensky tha sot, pas një takimi me kryeministrin polak Donald Tusk në Varshavë, se Kievi pret hapa konkretë nga partnerët e tij perëndimorë për të forcuar mbrojtjen e tij ajrore dhe për të mbrojtur sektorin e tij të energjisë gjatë samitit të NATO-s këtë javë.

Zelensky pritet të niset për samitin në Uashington më vonë gjatë ditës, pas përfundimit të vizitës së tij në Poloni, raporton Reuters.

Tusk shtoi se qeveria polake po diskuton mënyrat për të ndihmuar furnizimin e Ukrainës me energji para dimrit, ndërsa Rusia po synon infrastrukturën energjetike të Ukrainës, sipas agjencisë britanike.

Zelensky tha më parë se Ukraina do të kërkojë një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me sulmet e sotme të ushtrisë ruse në Ukrainë, në të cilat u vranë të paktën 29 persona dhe u dëmtua një spital për fëmijë.

Volodymyr Zelenskiy tha sot në Varshavë se tashmë këtë verë, Kievi dhe vendet partnere duhet të përgatisin një plan veprimi bazuar në "formulën e paqes" për rivendosjen e sigurisë energjetike në Ukrainë.

"I jam mirënjohës Polonisë për pjesëmarrjen në Samitin e Paqes (në Zvicër) dhe për mbështetjen e punës në kuadër të "formulës së paqes". Polonia është bashkë-udhëheqëse në zbatimin e pikës për sigurinë energjetike. Partnerët tanë polakë janë plotësisht të informuar në lidhje me situatën në sistemin energjetik të Ukrainës, dhe tashmë këtë verë duhet të japim një plan veprimi të përgatitur në kuadrin e 'formulës së paqes' në lidhje me rivendosjen e sigurisë energjetike në Ukrainë, dhe falë kësaj për të gjithë fqinjët tanë në Evropë, “ tha Zelensky në një konferencë për shtyp pas një takimi me kryeministrin polak Donald Tusk.

Zelensky kujtoi se negociatat midis Ukrainës dhe BE-së për anëtarësimin kanë filluar në qershor, duke theksuar se detyra e Kievit është të përgatisë kushtet për vazhdimin e negociatave dhe për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin këtë vit, pa humbur kohë, raportoi Interfax-Ukraine.

Zelensky vlerëson se kjo është një detyrë e rëndësishme strategjike jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të gjithë Evropën.