'Vula e PD-së', Gjykata e Apelit zbardh vendimin, Basha: Rekurs në Gjykatën e Lartë
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas zbardhjes së vendimit për ‘vulën e PD-së’ nga Gjykata e Apelit.
Nëpërmjet një postimi në platformat sociale, Basha shprehet se vendimi i hap rrugë rekursit të menjëhershëm në Gjykatë të Lartë.
“Zbardhja e vendimit skandaloz të 11 qershorit, i hapë rrugë rekursit tonë të menjëhershëm në Gjykatë të Lartë. Ne nuk e pranojmë padrejtësinë. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.
Vendimi
Gjykata e Apelit zbardhi vendimin e plotë me anë të të cilit i dha vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës dhe grupit të tij të deputetëve, duke e hequr nga Lulzim Basha.
Sipas Gjykatës së Apelit, ankimimi i Enkelejd Alibeajt është quajtur i pavlefshëm, pasi në kohën që ka dorëzuar ankimimin, nuk ka patur asnjë tagër, pais autorizimi për të i lëshuar nga Lulzim Basha ka marrë fund kur ky i fundit dha dorëheqjen si kryetar i partisë.
“Ankimi kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2023 është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, si përfaqësues me autorizim i kryetarit të PDSH-së. Bashkëngjitur ankimit është dhe autorizimi i datës 15.09.2021 i lëshuar nga z. Lulzim Basha. Gjykata e apelit vlerëson se autorizimi i datës 15.09.2021, nuk ka pasur efekte juridike pas datës 21.03.2022, kur z.Lulzim Basha ka hequr dorë publikisht nga funksioni i kryetarit të PDSH-së. Në këto kushte përfaqësuesi i tij, z.Enkelejd Alibeaj, nuk ka patur tagrin për të hartuar e nënshkruar ankimin e datës 04.04.2022 për këtë çështje.
Gjykata e apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimmarrëse në procesin zgjedhor.
Sipas vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të KAS të lënë në fuqi me vendimin nr.5 datë 27.03.2023 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, PDSH është përfaqësuar në zgjedhjet vendore të vitit 2023 me nën/kryetar z. Enkelejd Alibeaj, për shkak se është pranuar që kryetari z.Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje në datë 21.03.2022. Nga këto akte provuese, provohet se z. Lulëzim Basha nuk ka qenë organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, në momentin e regjistrimit të ankimit 04.04.2022, pasi është njohur dorëheqja e tij në datë 21.03.2022”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Vendimi i formës së prerë për vulën dhe logon e Partisë Demokratike u mor pas 3 viteve seancash gjyqësore mes grupimit të Bashës dhe Rithemelimit.