Veliaj: Aksi Tiranë-Kamzë do jetë aksi më i madh i investimeve në Ballkan
Tirana dhe Kamza do të lidhen shumë shpejt me disa ura të tjera, që shtojnë lidhjet ekonomike mes dy qyteteve. Në takimin me strukturat e PS në Kamzë, Drejtuesi Politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se ato do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në të dyja anët e lumit.
“Dikur Ura e Babrrusë ishtë një shteg i ngushtë, ku makinat prisnin në radhë për ta kaluar, sot ura e re me dy korsi është më mirë, por sërish nuk mjafton. Duhet të nisim punën urgjent për urat e tjera dhe jam i bindur se po të vijojmë këtë punë siç e kemi nisur, aksi Tiranë-Kamzë do jetë aksi më i madh ekonomik, financiar, i punëdhënies, i arsimit dhe i investimeve në Ballkan”, tha zoti veliaj.
Ai tha se, Tirana dhe Kamza sot nuk kanë asnjë dallim nga ana infrastrukturore, falë punës së bërë. Sipas zotit Veliaj Zona e Lirë Ekonomike, TEDA Tirana, do të gjenerojë vende pune edhe për Kamzën.
“Ne mund të bëjmë një histori suksesi të jashtëzakonshme jo vetëm me lidhjet fizike, me urat, por edhe me Zonën e Lirë Ekonomike. Me bizneset e reja digjitale, automotive, dhe të teknologjisë që do operojnë aty, do të kemi një histori suksese për djemtë e vajzat e mrekullueshme të Tiranës dhe Kamzës”, tha Veliaj.