Ulutash: Ngjarjet në veri ndikuan edhe në sigurinë e rajonit, dërguam 1 mijë trupa shtesë

Ulutash: Ngjarjet në veri ndikuan edhe në sigurinë e rajonit, dërguam 1 mijë trupa shtesë

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash i ka komentuar ngjarjet e vitit të kaluar në veri të Kosovës duke thënë se të njëjtat kanë ndikuar negativisht situatën e sigurisë në rajon.

Ulutash ka theksuar se pas tensioneve, NATO ka dërguar 1 mijë trupa shtesë në Kosovë dhe se batalioni turk që erdhi në kuadër të forcave shtesë, po jep kontribut në mënyrë profesionale.“Siç e dini, batalioni ynë nga Turqia po shërben në fushën e operacioneve si njësi rezervë. Në rastin e batalionit tonë turk, ushtarët tanë po japin një kontribut që do të bëjë ndryshimin këtu në një mënyrë profesionale, shumë të trajnuar”, ka deklaruar Ulutash pas një aktiviteti.

Më tej, Ulutash tha se objektivi kryesor i KFOR-it është parandalimi i përshkallëzimit, por sipas tij, në rast të tensioneve më të mëdha, ata janë gati dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tyre.

“Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Prandaj, ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës, përmes një qëndrimi të dukshëm dhe fleksibil, me patrulla të rregullta dhe angazhime me komunitetet lokale”, ka vijuar Ulutash, transmeton Dukagjini.

Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtua nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.Më 24 shtator, një grup paramilitar serb nisi sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë Milan Radoiçiq, i cili vazhdon të ende i lirë nëpër Serbi.