Të paktën 274 palestinezë u vranë në operacionin ushtarak izraelit të së shtunës

Të paktën 274 palestinezë u vranë në operacionin ushtarak izraelit të së shtunës

DEIR AL-BALAH - Të paktën 274 palestinezë u vranë të shtunën në një sulm ajror dhe tokësor izraelit, si pjesë e një operacioni për të shpëtuar katër pengje të mbajtura nga Hamasi, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e pushtuar palestineze.

Ministria palestineze konfirmoi se rreth 700 persona u plagosën gjatë operacionit izraelit të së shtunës, raporton AP.

Sulmi i koordinuar izraelit thellë në Rripin qendror të Gazës ishte operacioni më i madh i shpëtimit të pengjeve që nga 7 tetori, kur Hamasi dhe grupet e tjera militante pro-palestineze kaluan kufirin izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje.

Izraeli ka nisur një ofensivë masive ushtarake në përgjigje të një inkursioni të Hamasit që ka vrarë më shumë se 36,700 palestinezë që nga 7 tetori, tha në një deklaratë Ministria e Shëndetësisë palestineze, duke theksuar se forcat izraelite nuk bëjnë dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve.

Papa Françesku bëri thirrje sot për dërgimin urgjent të ndihmave humanitare për palestinezët në Gaza, si dhe që Izraeli dhe Hamasi të pranojnë propozimet për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.

"Unë inkurajoj komunitetin ndërkombëtar të bëjë diçka urgjentisht, me të gjitha mjetet, për të ndihmuar popullin e Gazës që është i lodhur nga lufta," tha Françesku, duke vënë në dukje se "askush nuk duhet të pengojë" ndihmën humanitare.

Kreu katolik shprehu shpresën se Izraeli dhe Hamasi do të arrijnë një marrëveshje për një armëpushim, duke shtuar se ai e di se negociatat "nuk janë të lehta".

“Shpresoj që propozimet e paqes që janë paraqitur nga të gjitha anët dhe lirimi i pengjeve do të pranohen menjëherë, për hir të palestinezëve dhe izraelitëve”, tha Franja.