Tahiri, PDK: Qeveria po tenton t’i kapë mediat, gjyqësorin dhe administratën publike

Tahiri, PDK: Qeveria po tenton t’i kapë mediat, gjyqësorin dhe administratën publike

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se përmes Kuvendit të Kosovës po tenton të ushtrojë kontroll autoritar dhe t’i kapë mediat, gjyqësorin dhe administratën publike, përcjell Reporteri.net.

“Nuk mund të vazhdonim të qëndronim në seancën e sotme të Kuvendit ku po tentohej të kaloheshin tri projektligje që rrezikojnë lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe sigurinë juridike të zyrtarëve publikë. Ne nuk mund të bëhemi palë të kësaj qeverie që, përmes Kuvendit të Kosovës, orvatet të ushtrojë kontroll autoritar, t’i frikësojë dhe t’i kap mediat, gjyqësorin dhe administratën publike”, shkroi Tahiri në Facebook.

Për këto tri projektligje pati kritika edhe nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e tyre.

Opozita lëshoi seancën e sotme të Kuvendit pasi nuk kaluan propozimet për tërheqje nga rendi i ditës i tri projektligjeve.

Gjatë ditës, në një konferencë për media, kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë kritikuar projektligjin për KPM-në duke bërë thirrje që Qeveria të tërhiqet nga ky projektligj.

Kusari tha se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.“ Kërkesa të njëjta pati edhe Rexha, i cili po ashtu ftoi opozitën të ketë zë më kritik kundër projektligjit.

“Kemi parë edhe gjatë diskutimeve që janë bërë për Komisionin e Pavarur të Mediave që nuk ka pasur interesim të opozitës për të qenë pjesë, shpesh ata kanë munguar. Nuk kemi parë interesim të tyre për të ngritur zërin kur është dashur”, tha Rexha.

“Kemi pritur një zë më të fuqishëm të opozitës, dhe presim që ata të reagojnë. Presim që t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore që i ka në dispozicion për ta kundërshtuar këtë projektligj për shkak të dëmit që po ia sjell Kosovës”, tha Rexha.