Superkupa e Europës, Ancelotti: Atalanta unike, do të jetë e vështirë
Numërimi mbrapsht ka nisur: më 14 gusht Atalanta do të përballet me Realin e Madridit në Varshavë në Superkupën e Europës.
Trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti, ka dhënë një intervistë për kanalet zyrtare të UEFA-s:
“Do të jetë e vështirë si gjithmonë, sepse është fillimi i sezonit, por ne do të shkojmë atje me besimin dhe bindjen më të madhe. Mendoj se Atalanta e meriton të jetë atje sepse luajti një Europa League fantastike, duke eliminuar skuadra të rëndësishme si Liverpool. Ajo fitoi lehtësisht, edhe finalen, ndaj e respektojmë shumë, por shpresojmë të jemi në top formë. Askush nuk e priste që të fitonte kështu. Siç thashë, Atalanta pati një sezon fantastik. Është një ekip shumë i rrezikshëm, që luan në mënyrë të veçantë dhe unike. Bayer Leverkusen nuk ishte në gjendje të luante siç ishte mësuar sepse lojtarët e Atalantas dhanë gjithçka”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Realit.