Studimi: Ndriçimi i rrugëve natën i bën gjethet të pangrënshme për insektet

Studimi: Ndriçimi i rrugëve natën i bën gjethet të pangrënshme për insektet

PEKIN - Ndriçimi i rrugëve gjatë natës mund të ndikojë në bimë, duke krijuar fotosintezë të zgjatur, duke bërë që gjethet të bëhen aq të forta sa insektet nuk mund t'i hanë ato, duke kërcënuar zinxhirin ushqimor, sipas studimit të fundit shkencor kinez.

Rezultatet e hulumtimit u botuan në revistën Frontiers in Plant Science dhe studimi i fenomenit erdhi pasi shkencëtarët vunë re se pemët në ekosistemet urbane janë shumë më pak të sulmuara nga insektet që hanë gjethe sesa në zonat rurale, raportoi Guardian.

"Ne vumë re se, krahasuar me ekosistemet natyrore, gjethet e pemëve në shumicën e ekosistemeve urbane në përgjithësi tregojnë pak shenja të dëmtimit të insekteve. Ne ishim kurioz se pse ndodh kjo," tha autori i studimit Shuang Zhang i Akademisë Kineze të Shkencave.

Zhang vuri në dukje se studimi tregoi se në dy nga speciet më të zakonshme të pemëve në Pekin, ndriçimi artificial i natës çoi në rritjen e rezistencës së gjetheve dhe reduktimin e barngrënësisë.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se pemët kanë gjethe më të forta kur ekspozohen ndaj më shumë dritës dhe se në zonat që janë më të ndriçuara gjatë natës, gjethet janë jashtëzakonisht të forta dhe nuk tregojnë shenja të sulmit të insekteve.

Studiuesit deklaruan se ata ende nuk e kuptojnë plotësisht pse ndodhi kjo, por sugjeruan që pemët e ekspozuara ndaj dritës artificiale mund të zgjasin kohëzgjatjen e fotosintezës.

Shuang theksoi se kjo mund të çojë në një ulje të numrit të insekteve, dhe si rezultat, një ulje të numrit të zogjve që hanë insekte.

"Rënia e numrit të insekteve është një model global që është vërejtur në dekadat e fundit. Ne duhet t'i kushtojmë më shumë vëmendje kësaj tendence," përfundoi Shuang.