Shqipëria mirëpret më shumë turistë, por me çmime më të larta
Shifrat e institucioneve në Shqipëri tregojnë rritje të numrit të turistëve në këtë vend.
Të fundit, të publikuara nga Instituti i Statistikave – Instat, janë për tremujorin e parë të vitit 2024 dhe flasin për 1 milion e 700 mijë turistë, ose 59% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pushues dhe ekspertë të turizmit e ekonomisë thonë se turizmi në vend është shtrenjtuar dhe arsyet, sipas tyre, janë nga më të ndryshmet.
Më shtrenjtë njësitë akomoduese, por edhe ushqimet
Mehdi Olluri, nga Lipjani i Kosovës, zgjodhi që edhe sivjet pushimet t’i bëjë në Shëngjin – pjesa veriperëndimore e Shqipërisë.
Ai thotë se krahasuar me një vit më parë, çmimet janë më të larta.
“Ka rritje të [çmimeve të] ushqimeve në dyqane, në restorante, e gjithashtu edhe banesa është më e shtrenjtë se vjet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Të dhënat e operatorëve turistikë tregojnë se të gjitha produktet turistike janë shtrenjtuar. Kështu, një çadër me dy shezlonë nuk gjenden më me afërsisht 5 euro, por mbi 7 euro, e në disa zona në jug të Shqipërisë arrijnë deri në 50 euro.