Serbët protestojnë sot në veri, përgënjeshtrohen pretendimet e Serbisë për “marshim të shqiptarëve në Urën e Ibrit”
Serbët e Kosovës kanë paralajmëruar për sot protestë në veri, në sheshin “Car Lazar”, nga ora 11:00 deri në orën 12:00.
Lajmin e ka konfirmuar zv.Drejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se protesta është thirrur, për siç kanë thënë, “gjendjen e keqe të serbëve”.
Sipas tij, protesta pritet të jetë e qetë, derisa bëri me dije se policia do të jetë aty që ta mbajë rendin dhe qetësinë publike.
“Grupi i qytetarëve e ka lajmëru protestën e nesërme nga ora 11:00-12:00, që planifikohet të mbahet në sheshin Car Lazar. Arsyeja e kësaj proteste është “gjendja e keqe e serbëve në të cilën gjinden”. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbaj rendin dhe qetësinë publike”, ka deklaruar Elshani.
Gjatë së martës, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përmendur këtë protestë duke pretenduar se “shqiptarët do të marshojnë në urën e Ibrit”referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë për një “tubim madhështor”.
Ndaj kësaj deklarate të Vuçiqit ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas Kurtit, me të tilla pretendime të rrejshme, Vuçiq po synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë.
Kurti ka thënë se këto pretendime të rreme “shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia”.