Selmanaj: Kemi një kryeministër që punon kundër planit të SHBA-së, presidentes s’i dëgjohet zëri

Selmanaj: Kemi një kryeministër që punon kundër planit të SHBA-së, presidentes s’i dëgjohet zëri

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se vendi ka një kryeministër që punon kundër planit të Amerikës.

Teksa komentoi deklaratën e djeshme të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, Selmanaj ka shtruar pyetjen se për cilin plan punon kryeministri, Albin Kurti.

“A ju kujtohet Albini kur thoshte: “S’di pse dikush u befasua që ambasadori amerikan ka më shumë informata se unë”?!

E pra, bash ai ambasadori i njëjtë amerikan  sot qartazi thotë që Qeveria e Kurtit po punon kundër planit amerikan për Kosovën. Nuk besoj që ka shqiptarë në Kosovë që dyshojnë në planin e Amerikës për Kosovën.

Atëherë shtrohet pyetja: Cili është plani i Albinit? Nëse nuk është në përputhje me planin amerikan  , për cilin plan punon Albini?

Për shumë dekada, burra dhe gra si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Mark Krasniqi, Xhemail Mustafa, e shumë të tjerë, kanë punuar shumë që Kosova të jetë në planet e Amerikës. Tani kemi një kryeministër që punon kundër planit të Amerikës ”, shkroi ai në një postim në rrjetin social Facebook.

Më tej deputeti i LDK-së tha se nuk mund të jesh me Kosovën dhe SHBA-në dhe të përkrahësh Kurtin.

Po ashtu ai s’ka lënë pa përmendur as presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për të cilën tha se nuk i dëgjohet rasti në të tilla raste.

“Më e thjeshtë se kaq nuk bëhet. Fatkeqësisht, sot nuk nuk mundesh me qenë edhe me Kosovën, edhe me Amerikën  dhe me përkrahë Albinin.

Duhet ta dijmë të gjithë që Aleanca e popullit të Kosovës me  SHBA-në është e përjetshme, ndërsa Albin Kurti thjesht është një kryeministër aksidental.

Edhe më e çuditshme është heshtja e Presidentes, e cila dikur thoshte: “Kosova është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane”, kurse në rastet e tilla nuk i dëgjohet zëri”, shkroi më tej Selmanaj.