Sarkofag nga epoka romake u zbulua në plazhin e Varnës

Sarkofag nga epoka romake u zbulua në plazhin e Varnës

SOFJE - Një sarkofag i lashtë i epokës romake është zbuluar aksidentalisht në plazhin pranë resortit të Shën Konstandinit dhe Jelenës në Varna, njoftoi Ministria e Brendshme bullgare.

Një ish-polic e vuri re sarkofagun pranë kompleksit të sapondërtuar, por ende jofunksional dhe e raportoi në Departamentin e Pestë Rajonal-Varna, raporton Novinite.

Vendi u inspektua nga ekspertë të Muzeut Arkeologjik dhe përfaqësues i Drejtorisë kryesore të “Inspektimit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore” pranë Ministrisë së Kulturës.

Ata arritën në përfundimin se sarkofagu daton nga epoka romake, më saktë nga shekulli II-III pas Krishtit, me dekorim të pasur reliev.

Përmasat e sarkofagut janë afërsisht 90x235x75 cm, ndërsa dekorimi është i zbukuruar me kurora, koka kafshësh, rozeta, një labris (sëpatë me dy tehe) dhe imazhe të tjera.

Artifakti i rëndë u transportua në Muzeun Arkeologjik në Varna për ekzaminim të mëtejshëm.

Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë nuk dha detaje shtesë se si sarkofagu përfundoi në plazh. Rasti është raportuar në Prokurorinë e Qarkut në Varna dhe hetimet janë duke vazhduar.

Sipas gazetës bullgare “24 sata”, sarkofagu mund të ketë qenë i destinuar për t'u përdorur si tavolinë, pasi është gjetur me një kapak mermeri modern me tre kamare.