Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës, 10 vite suksese dhe bashkëpunime

Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës, 10 vite suksese dhe bashkëpunime

Në 10 vjetorin e themelimit, Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës sot i ka bërë bashkë afaristët shqiptarë në Prishtinë.

Bizneset shqiptare nga diaspora janë duke mbajtur forumin dy ditorë për të ndarë eksperiencat e tyre si dhe për të krijuar një urë lidhëse për bashkëpunime.Yll Blakaj nga Rrjeti Rrjeti i Bizneseve Shqiptare ka thënë se motivi, energjia pozitive, besueshmëria ndaj njëri-tjetrit dhe puna e përbashkët ekipore është çelësi i sukseseve të tyre.

“Është nder i veçantë dhe respekt t’i përshëndes sot në këtë 10-vjetor të aktiviteteve tona të përbashkëta. Motivi, energjia pozitive, besueshmëria ndaj njëri-tjetrit në rritje dhe puna e përbashkët ekipore në Rrjetin Global të Bizneseve janë çelësi i sukseseve tona të vazhdueshme. Kjo është e veçanta në organizimin tonë ekonomik”, ka thënë Blakaj.

Muhamet Sherifi, ndërmarrës shqiptar nga Turqia, tha se sot janë rreth 30 biznesmenë shqiptarë nga Turqia të cilët marrin pjesë në këtë forum.“Këto vitet e fundit jemi bashkë më shumë me biznesmenët shqiptarë që jetojnë në Turqi, në qytete të ndryshme. Në këtë panair marrim pjesë afër 30 biznesmenë shqiptarë që jetojmë në Turqi. Ia kemi nis bashkëpunimit me qytetet e Kosovës dhe është shumë mirë duke shku”, ka thënë Sherifi.

Ndërsa, Safet Krasniqi, ndërmarrës shqiptar nga Austria, tha se janë pjesë e Rrjetit të Bizneseve qysh nga themelimi i tij.“Aktiviteti ka filluar qysh në periudhën 2005-2007 dhe pas 2015 jemi aktivë në të gjitha aktivitetet në BE. Për ne si firmë është shumë me rëndësi me pas biznese vendore, por ne veprojmë kryesisht në Austri. Ne përdorim produkte të prodhuara të drurit ose elemente të metalit në Kosovë. Kësaj radhe besoj që do të bëjmë edhe kontrata për eksport në Austri”, ka thënë Krasniqi.