Prokuroria nis hetimet për rastin e të moshuarit që vdiq pasi ra në pusetë në magjistralen Prishtinë-Podujevë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për rastin në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë ku një i moshuar ra në një pusetë të hapur, dhe pas dy javësh trajtimi në QKUK, ai vdiq.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se për rastin janë duke u ndërmarrë veprime në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe se rasti është hapur si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Ju njoftojmë se ditën kur është raportuar rasti në fjalë, Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas KPRK-së. Meqenëse viktima ka vdekur në QKUK, Prokuroria ka lëshuar urdhëresë për obduksion, në IML, ndërsa ndaj këtij rasti janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në bashkëpunim me policinë”, tha Ulaj.
Në njoftimin e djeshëm të Policisë së Kosovës u bë e ditur se ngjarja kishte ndodhur më 9 gusht, ndërsa më 19 gusht i moshuar kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Më 19.08.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili ishte duke u trajtuar në QKUK si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi kishte rënë në një pusetë të hapur më 09.08.2024. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe mbetet në hetime”, thuhej në njoftimin e policisë.
Lidhur me rastin, Lëvizja Vetëvendosje ka fajësuar Komunën e Prishtinës.
Shefi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla ka thënë se është e tmerrshme që një gjë e tillë ndodh në Prishtinë në vitin 2024, dhe se siç ka thënë ai qytetarët janë të rrezikuar në çdo hap në kryeqytet.
“Ndërkohë që promovohen kontrata 18 milionëshe për shesh, 12 milionë për vizatime të arkitektëve, miliona për digjitalizime të parkingjeve, e shumë të tjera – neve na vdesin njerëzit në puseta. Është e tmerrshme me ndodh kjo në vitin 2024 në kryeqytet. Kaq vlenë jeta e njeriut në Prishtinë. Të rrezikuar në çdo hap, në çdo moment, qoftë nga kulmet që fluturojnë, nga lisat që rrëzohen nga era apo nga pusetat e hapura. Ngushëllime familjarëve e hetim dhe përgjegjësi për rastin”, shkroi Sveçla në një postim në Facebook.