Prishtinë, kryeministri Rama nderohet me çmimin “Çelësi i Qytetit”

Prishtinë, kryeministri Rama nderohet me çmimin “Çelësi i Qytetit”

Kryeministri, Edi Rama është nderuar të hënën në Prishtinë me çmim “Çelësi i Qytetit”. Çmimi, kreut të qeverisë shqiptare, i është dhënë nga kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës.

“Prishtinë - i nderuar të marr çmimin “Çelësi i Qytetit” nga Përparim Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, kryeqytetit tjetër të shqiptarëve”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me krye bashkiakun e Prishtinës, Rama tha se për të ishte kënaqësi që ju dha mundësia të vizitojë bashkinë dhe krye bashkiakun personalisht në zyrën e tij dhe se do të kthehet në Tiranë me “Çelësin e Prishtinës”.

“Kujtoj që në vitin 2008, kur Thaçi drejtonte qeverinë e parë të pavarësisë, i dhashë “Çelësin e Tiranës” si kryeministër i Kosovës dhe sot jam unë që e marr çelësin si kryeministër i Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se i ndjek me kuriozitet përpjekjet e kryetarit të komunës së Prishtinës në kushtet e një kryeqyteti që rritet, që ka sfida të mëdha si çdo kryeqytet në botë dhe që ka nevojë për lidership dhe mbështetje të vazhdueshme nga të zgjedhurit e vet.

“Më vjen mirë që pasi jemi takuar në Ulqin verën e shkuar shikoj që kryetari është po aq pasionant, energjik dhe i dëshiruar për të shtyrë përpara punët për kryeqytetin. Akoma nuk e ka lodhur qëndrimi në zyrë përkundrazi e gjej shumë të interesuar për të ndarë idetë dhe sfidat gjë që është shumë pozitive, sepse ka pasur kryeqytete që kanë pasur kryetarë që janë futur në zyrë, kanë mbyllur derën dhe ia kanë futur gjumë katër vjet. Prishtina është e sigurt në këtë drejtim, sepse nuk ka asnjë rrezik që Përparimi të dremisë.”, nënvizoi Rama.

Ndërsa krye bashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama vlerësoi punën e kryeministrit të Shqipërisë në zhvillimin e hapësirës mbarëshqiptare.

“Pata nderin që t’ia dhuroj “Çelësin e Kryeqytetit” kryeministrit Edi Rama, që çmon angazhimin e tij të palëkundur për të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Gjuha, tradita, tolerance fetare janë të përbashkëtat e dy vendeve dhe kryeqendrave tona dhe fatet tona janë të gërshetuara dhe prihen nga i njëjti yll polar, që na orienton drejt përparimit dhe unitetit. Për këtë arsye e çmoj edhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e pakursyer që ka dhënë në arenën ndërkombëtare për Kosovën dhe e shohim si arma jonë e rëndësishme me të cilin jemi të lidhur fort e duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë, E përgëzoj për zhvillimin e hovshëm që ka bërë Shqipëria dhe populli shqiptar këto vitet e fundit”, tha kreu i komunës së Prishtinës, Rama.

Ai shtoi se i gëzohet faktit që Shqipëria është kthyer në një brand turistik, si një perlë e bukur, e mrekullueshme, që vizitohet nga e gjithë bota.

“Normal, kur vizitohet Shqipëria nga e gjithë bota, është e ndërlidhur edhe me ardhjen e turistëve në Kosovë. Prandaj kjo është edhe një falënderim për punën që kryeministri Edi Rama e bën jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarinë, për të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët, pasi tashmë nuk jemi më refugjatë, nuk jemi të ikur. Jemi një diasporë, jemi qytetarë që rrojmë krenarë me çka kemi, me pasurinë, me kulturën, me traditën, me natyrën, me vlerat me të cilat tashmë i përçojmë në vende të ndryshme të botës, edhe kjo vjen si rezultat i punës së mrekullueshme të shtetit shqiptar, të kryeministrit Edi Rama dhe gjithë ekipeve të tij të mrekullueshme. Dua ta falënderoj nga zemra që ka gjetur kohën të jetë sot këtu me ne e të na nderojë me prezencën e tij për herë të parë, e shpresoj jo për herë të fundit, në Odën e Kryeqytetit dhe të mos ndalet në rrugën e tij për të bashkuar kulturën tonë, infrastrukturën, bashkëpunimet akademike, studentore, rininë, sepse e ardhmja e jonë është e ardhme e përbashkët”, tha krye komunari Rama.