PDK dhe LDK e dërguan statutin e ri të UP-së në Kushtetuese, Nagavci: Do të fitohet edhe kjo betejë
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar statutin e ri të Universitetit të Prishtinës në Gjykatën Kushtetuese.
Nagavci në reagimin e saj tha se Universiteti i Prishtinës do ta fitojë edhe këtë betejë dhe sipas saj ngadalë por sigurt do të kthehet aty ku e ka vendin.
“Universitet me autonomi, integritet akademik e kredibilitet. Vend ku do të prodhohen kuadro cilësore e klanet joprofesionale dhe joparimore nuk do të kenë vend më” – tha ministrja.
Sipas Nagavcit, dy partitë e lartcekura janë koordinuar për të penguar ndryshimet e mëdha, pozitive dhe reformat institucionale.
Tutje Nagavci shtoi se si ministre e Arsimit dhe si Qeveri kanë përkrahur Universitetin e Prishtinës dhe universitetet e tjera publike drejt vetërregullimit, avancimit të cilësisë dhe performancës, meritrokracisë si dhe autonomisë akademike.
Madje, Nagavci tha se edhe rezultatet në këto drejtime janë evidente, të matshme e konkrete.
“Ndryshimet e mëdha e pozitive që janë bërë së fundi në Universitet kanë prishur rehatinë e atyre që dikur kanë kontrolluar vendimmarrjen në UP, atyre që sot në vend se t’u gëzohen rezultateve evidente, nuk zgjedhin mjet e rrugë për të penguar reformat. Këto veprime të LDK-së, PDK-së dhe eksponentëve të tyre duke tentuar ndërhyrjen në aktet dhe politikat e universitetit, cenojnë rëndë autonominë e Universitetit sikurse janë tentativë për rikthimin e UP-së hapa pas ku ishte” – tha e para e MASHT-it.
“Por, kthim prapa nuk ka” – shtoi ajo tutje.
E njëjta tha se profesorët e Universitetit të Prishtinës që janë deputetë nga këto dy parti që kanë nënshkruar kërkesën për të dërguar statutin në Gjykatë Kushtetuese, ashtu si ata që kanë punuar në draftimin e kërkesës, përveç se joprofesionalizëm dhe atakim i institucionit ku kanë marrëdhënie pune, shpërfaqin dhe ndërhyrjet që nga paslufta që LDK e PDK kanë bërë në UP dhe universitetet e tjera publike.