Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

Dy të dyshuarit e arrestuar për spiunazh do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë. Kështu është vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe gjykata e ka konfirmuar paraburgimin për dy të dyshuarit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin”, thuhet në njoftim.

Një audio-incizim, ku dëgjohen duke biseduar Srdjan Rosiq dhe Bedri Shabani, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh është publikuar sot.

Megjithëse, audio në disa pjesë është e censuruar, aty kuptohet qartë se Bedri Shabani, i dyshuar për bashkëpunëtor të shërbimit serb të inteligjencës se, kërkon që BIA t’i ndihmojë atij dhe njerëzve të tij që ta kryejnë një punë.