Një e treta e popullsisë së botës nuk bën mjaftueshëm ushtrime fizike

Një e treta e popullsisë së botës nuk bën mjaftueshëm ushtrime fizike

Sipas një studimi të ri, gati një e treta e popullsisë së botës në moshë madhore nuk bëri gjatë vitit 2022 aktivitetin e rekomanduar fizik. Rajoni i Mesdheut lindor dhe Azia juglindore kanë nivelet më të larta të mungesës së aktivitetit fizik, në gati 40% të popullsisë. Në Xhakarta, kryeqytetin e Indonezisë, banorët janë dakord se shumica e njerëzve duhet të bëjnë më shumë ushtrime fizike.

Në Xhakarta të Indonezisë gjendet një kompleks i preferuar sportiv për vendasit, që e frekuentojnë atë shpesh.

Megjithatë, rreth 40% e banorëve në këtë pjesë të globit nuk bëjnë lëvizje të mjaftueshme fizike, thuhet në një studim të publikuar rishtazi në gazetën mjekësore ‘The Lancet Global Health’.

Ngarkesa e madhe me punë e bën të vështirë që njerëzit në Xhakarta të gjejnë kohën për fizkulturë.

“Në Indonezi, shumë njerëz e gjejnë të vështirë të krijojnë kohë të lirë, pasi u kërkohet shumë prej tyre të kenë një ngarkesë të madhe me punë. Kjo do të thotë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’u ushtruar që të ruajnë shëndetin e tyre. Mendojnë vetëm për punën”, thotë Daniel Soekarso, që vjen për të vrapuar në këtë kompleks sportiv.

Të tjerë banorë fajësojnë mediat sociale, të cilat kanë krijuar një stil jetese më pasiv.

“Jam dakord dhe i besoj rezultatet e studimit, pasi nga ç’shikoj në mjedisin rreth meje, fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit janë zakonisht të zënë me pajisjet e tyre dhe mediat sociale. Gjithashtu kanë filluar në moshë të re sëmundje si kolesteroli, niveli i lartë i sheqerit në gjak dhe sëmundje të tjera që mendonim se ndodhnin vetëm tek të moshuarit”, thotë Kinan Randy, studente e vitit të parë në Xhakarta.

Studimi i ri thotë se rreth 1.8 miliardë njerëz, pra rreth një e treta e të rriturve në mbarë globin, nuk përmbushën nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik. Kjo do të thotë se ata mund të jenë më të rrezikuar nga sëmundjet.

Studimi u përpilua nga shkencëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe akademikë të tjerë. Shqetësuese është tendenca e popullsisë për t’u bërë më pak aktive. Kjo tendencë u përshpejtua me 5% gjatë periudhës 2010-2022.

Njerëzit më pak aktivë gjenden në rajonin e Mesdheut lindor dhe Azisë juglindore, me gati 40% të popullsisë që nuk ushtrohet fizikisht. Në dallim, njerëzit janë shumë më aktivë në rajone të tjera, si në Evropë, ku vetëm 25% nuk ushtrohen, apo në Afrikë, me vetëm 16%.

Në mbarë botën, gratë janë të prirura të bëjnë më pak ushtrime fizike se burrat, me nivele pasiviteti në 34%, krahasuar me 29% për burrat. Gjithashtu jeta sedentare shtohet pas moshës 60-vjeçare.

Studimi i ri pati edhe konkluzione pozitive. Në gati gjysmën e botës është bërë përparim për të shtuar aktivitetin fizik gjatë dekadës së fundit.

Madje nëse vazhdojnë me ritmin e tanishëm, 22 vende të botës mund të arrijnë deri në vitin 2030 objektivin që 85% e popullsisë të bëjë rregullisht ushtrime fizike.