Në komunën e Tearcës nga gjithsej 9 fshatra vetëm Tearca do të ketë kanalizim

Në komunën e Tearcës nga gjithsej 9 fshatra vetëm Tearca do të ketë kanalizim

“Nga gjithsej nëntë fshatra sa ka komuna e Tearcës, vetëm në fshatin Tearcë është duke u bërë kanalizimi fekal. Ndërkohë fshatrat tjerë, sipas komunës së Tearcës, do duhet të presin kohë më të mira, sepse, për tu realizuar i tërë projekti i kanalizimit në këtë komunë, nevojiten 16 milionë euro, para këto që komuna nuk i ka. Shpreson tash e ca vite nga Qeveria, edhe pse Qeveria, vazhdon edhe më tej që të mos hedh as një hap në drejtim të lëshimit të mjeteve për këtë projekt. Banorët ankohen se fshatrat tjerë ndjehen të lënë pas dore, sepse vetëm në Tearcë po bëhet kanalizimi”, raporton Bashkim Sulejmani gazetar.

“Këtu me kanalizimin e kemi bërllok punën. Gjithë Qeveria si qeveri, kanalizimin për ne, na e ka bë vetëm në letër, e jo në vepër. E ne u mbytëm duke hapur jama, dhe po infektojmë edhe tokën në këto jam. Punohet diçka por efikasitet jo. Këtu kështu është me këta të korruptuarit”, tha një banor.

“Lihemi pas dore se s’kemi as kryesi a njerëz pune asgjë. Me jama jemi ende nëpër baçe nëpër oborre, që janë pafund të rrezikshme. Sqarimet i dinë fshati, neve banorëve askush asgjë s’na tregon”, theksoi një banor tjetër.

“Komuna thotë se kanalizimi është bërë, por ende s’është në funksion, e sa do zgjas kjo ata e dinë, s’di më shumë, mbetemi vetëm me shpresën që do bëhet. Shumë kohë shumë kohë e presim por asgjë, premtime të paktën kemi sa të duash, por kanalizim jo”, shtoi një banor.

Fshatrat e Tearcës, kanë mungesë edhe të kanalizimit atmosferik.

Kreu i komunës së Tearcës Nuhi Neziri, ngre duart para këtij problemi. Kostoja e tij është shumë e madhe thotë ai, ndërsa mundësitë buxhetore të komunës tejet të vogla. Përveç kanalizimit, Neziri thotë se nevojitet edhe stacioni për filtrim të ujërave të zeza.

“Realizimi i projektit është 97 për qind në fshatin Tearcë dhe ka mbetur vetëm një rrugë që të mbyllet, por shqetësues mbetet fakti se nga gjitha 9 vendbanimet në komunë, po bëhet vetëm Tearca. Kërkojmë modalitet, mbase edhe përkrahje nga qytetarët apo organizata të ndryshme që të bëjmë punimet në këtë projekt kapital. Projekti është i gatshëm, madje edhe me stacionin e filtrimit. Gatishmëria institucionale si nga Qeveria, Ministritë apo partnerët ndërkombëtarë ka, por ajo është e mundshme vetëm pjesë-pjesë”, tha Nuhi Neziri. Kryetar i komunës së Tearcës.

Një numër i madh i fshatrave të komunës së Tearcës gjithashtu vuajnë edhe mungesën e ujit për pije, si pasojë e mos pasjes së sistemit të ujësjellësit, i cili, po ashtu po premtohet tash e më shumë se një dekadë.