Me ftesë të Blinken, Osmani udhëton për në SHBA
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Washington me ftesë të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
Zyra e Presidencës përmes një komunikate për media njofton se Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për gratë, paqen dhe sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s në 75-vjetorin e themelimit.
Presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Ëashington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.
Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, Presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
Kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO”, thuhet në komunikatë.
Nga Presidenca thanë se përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Washington, Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë.
Ndryshe 75 vjet më parë, 12 vende nënshkruan Traktatin e Atlantikut të Veriut në Uashington, DC për të siguruar mbrojtjen e tyre kolektive në një botë të paparashikueshme.
Këtë vit, 32 aleatë të NATO-s do të takohen përsëri në Washington për të marrë vendime kyçe se si të vazhdojnë të mbrojnë një miliard qytetarët e tyre, ndërsa bota përballet me momentin më të rrezikshëm të sigurisë që nga Lufta e Ftohtë.
“Në Samitin e Washingtonit, ne do të demonstrojmë edhe një herë unitetin dhe forcën e NATO-s, në mbështetje të Ukrainës dhe për të mbajtur të gjithë njerëzit dhe vlerat tona të sigurta”, ka thënë Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Në Samitin e Ëashingtonit, udhëheqësit e NATO-s do të trajtojnë një sërë çështjesh me të cilat përballet Aleanca dhe do të sigurojnë që NATO të mbetet e gatshme për t’iu përgjigjur çdo sfide.
Paralelisht me Samitin e Washingtonit, qyteti do të presë Forumin Publik të NATO-s – një ngjarje që synon të promovojë një kuptim më të mirë publik të politikave, qëllimeve dhe vendimeve të NATO-s përmes dialogut dhe angazhimit me një grup unik dhe të larmishëm të palëve të interesuara.