Kushtetuesja vendos, rrëzon disa nene të Ligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil
Gjykata Kushtetuese të enjten ka rrëzuar nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil, i cili u dërgua për shqyrtim nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, transmeton Reporteri.net.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastet (i) KO232/23, me parashtrues: Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë; dhe (ii) KO233/23, me parashtrues: Besian Mustafa dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dorëzuara në Gjykatë bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në reagimin e Kushtetueses.
Sipas vendimit, Kushtetuesja ka konstatuar se nenet 2, 7 dhe 8 të këtij Ligji nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] “në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës]”.
Neni 6 i Ligjit të kontestuar, sipas Kushtetueses, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil].
“Nenet 9, 10 dhe 11 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Kushtetuesja ia ka dërguar presidentes Vjosa Osmani ligjin për dekretim “sipas modaliteteve të përcaktuara në aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar”.
Ligji për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil ishte miratuar në Kuvend gjatë vitit 2023.
Më herët gjatë ditës, Kushtetuesja i dha të drejtë Qeverisë për Ligjin për investime të qëndrueshme, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për vlerësim.