Kryeministri i ri britanik, Starmer: Puna jonë është urgjente dhe e fillojmë sot
Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka mbajtur fjalimin e tij të parë si shef i Qeverisë, pasi u emërua edhe zyrtarisht nga Mbreti Charles III
Gjatë fjalimit të tij jashtë Downing Street, Starmer tha se puna është urgjente dhe ajo do të fillojë qysh sot, raporton The Guardian.
“Ju na keni dhënë një mandat të qartë dhe ne do ta përdorim atë për të ofruar ndryshime. Për të rikthyer shërbimin dhe respektin ndaj politikës. Fundi i epokës së performancës së zhurmshme. Ecni më lehtë në jetën tuaj. Dhe bashkoni vendin tonë.
Katër kombe qëndrojnë sërish bashkë. Duke u përballur me sfidat e një bote të pasigurt, siç kemi bërë shpesh në të kaluarën tonë. Të përkushtuar për një rindërtim të qetë dhe të durueshëm. Ndaj me respekt dhe përulësi ju ftoj të gjithëve t’i bashkoheni kësaj qeverie shërbimi, në misionin e ripërtëritjes kombëtare.
Puna jonë është urgjente dhe e fillojmë sot. Faleminderit shumë”, u shpreh kryeministri i ri britanik.
Mes të tjerave, Starmer tha se “Tullë për tullë do të rindërtojmë infrastrukturën e mundësisë. Shkollat dhe kolegjet e klasit botëror. Shtëpitë e përballueshme që unë njoh janë përbërësit e shpresës për njerëzit që punojnë”
Ndryshe, Partia Laburiste ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe të premten, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare nga Partia Konservatore.
Laburistët e qendrës së majtë i kanë fituar shumicën dërrmuese të ulëseve në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh, ndërsa Partia Konservatore e Rishi Sunakut e ka pësuar disfatën më të rëndë në historinë e vet.