Kosovë: Perëndimi nuk e mbështet hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Kosovë: Perëndimi nuk e mbështet hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, tha të premten se vendet kryesore perëndimore dhe NATO-ja, nuk i mbështesin synimet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, asaj të veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut të banuar me shumicë shqiptare.

Ambasadori Hovenier i bëri këto komente pas një takimi të diplomatëve perëndimorë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në këshillim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë", tha ambasadori Hovenier.

Ura e cila kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, është e hapur vetëm për lëvizjen e këmbësorëve por jo edhe të makinave, ndonëse sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo është dashur të hapet.

Qeveria e Kosovës tha në një komunikatë se ka paraqitur para diplomatëve perëndimorë planin për hapjen e urës, i cili, siç thuhet, parasheh testimet për qëndrueshmërinë infrastrukturore të saj, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin duke siguruar qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe një fushatë informimi gjithëpërfshirëse mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se ura duhet të hapet dhe se ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt.

“Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, thuhet në njoftim.