Ish presidenti Meta: Modeli ekonomik i vendit duhet të orientohet drejt eksporteve
Ish presidenti Ilir Meta, aktualisht Presidenti i Partisë së Lirisë, në opozitë tha të enjten se modeli ekonomik i Shqipërisë ka nevojë për një transformim urgjent, radikal.
Duke folur në një aktivitet të partisë së tij zoti Meta tha se ekonomia shqiptare duhet të orientohet kryesisht nga eksportet dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore, dhe jo vetëm nga sektori i ndërtimit dhe i konsumit. Struktura e ekonomisë duhet të zhvillohet me shpejtësi, drejt një ekonomie prodhuese dhe shërbimesh cilësore, që krijojnë vlerë më të lartë, dhe eksporte në rritje, tha zoti Meta.
“Ndërkohë që prodhimi dhe punësimi vijojnë pikiatën, bumi i ndërtimeve në mënyrë të çuditshme, vazhdon me ritme të larta. A ka logjikë ekonomike që mund të shpjegojë faktin që kullat dhe pallatet shtohen çdo ditë, ndërkohë që fuqia blerëse bie ndjeshëm, aq sa sot një çifti të ri i duhen 60-70 vite pune për të blerë një apartament në periferi të Tiranës.
Për kë ndërtohen gjithë këto apartamente, kur nuk ka kush t’i blejë? Këtë e provon më së miri fakti, se sot vetëm në Tiranë janë 52 mijë apartamente të pabanuara”, u shpreh Meta.
Ish presidenti i vendit dhe kreu aktual i PL theksoi se “intensiteti i rritjes së ndërtimeve, sidomos në Bashkinë e Tiranës mbetet shumë i lartë, gjë që vërteton edhe një herë jo vetëm betonizimin e tmerrshëm të kryeqytetit, por dhe konstatimin e opozitës dhe të institucioneve partnere, për shndërrimin e Tiranës në lavatriçen gjigante të pastrimit të parave të pista”.
“Në tremujorin e parë të vitit 2024, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës është sa 65% e totalit të gjithë sipërfaqes së ndërtimit të vendit”, tha zoti Ilir Meta.