Incidenti në Aeroportin e Shkupit thellon edhe më shumë hendekun mes Osmanit dhe Kurtit

Incidenti në Aeroportin e Shkupit thellon edhe më shumë hendekun mes Osmanit dhe Kurtit

Mosmarrëveshjet në mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti janë shpërfaqur tash e disa kohë, por ato janë thelluar edhe më shumë ditëve të fundit.

Vjosa Osmani rritjen e saj më të madhe politike e shënoi pas largimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke themeluar listën Guxo me të cilën garoi në zgjedhjet e shkurtit 2021 brenda listës së Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto zgjedhje Osmani fitoi mbi 300 mijë vota dhe në prill të po atij viti, ajo u zgjodh presidente falë votave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Bashkëqeverisja e LVV-së me listën GUXO është duke funksionuar mirë edhe pas pothuaj katër vitesh në pushtet, por një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për raportet ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, shkruan Telegrafi.

Viti 2024 karakterizohet për një rivalitet dhe mosdurim të hapur mes tyre.

Kulmi i përkeqësimit të raporteve mes Osmanit dhe Kurtit arriti javën e kaluar (e enjte), kur presidentja e vendit u përball me një incident në Aeroportin e Shkupit, me rastin e udhëtimit të saj në Slloveni.

Pesë ditë pas këtij incidenti kryeministri Kurti qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup, ku u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Me këtë rast Kurti, duke folur për incidentin që i ka ndodhur presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit, ka thënë se ka qenë përvojë e rëndë që ka përjetuar Osmani.

Ai ka thënë se autoritet e Maqedonisë së Veriut, krerët e shtetit, kanë shprehur keqardhje për rastin dhe se do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur.

Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti nga Shkupi, nuk i ka pëlqyer aspak presidentes Osmani.

Presidenca përmes një reagimi, të martën ka shprehur keqardhje se si është trajtuar incidenti nga konferenca që u mbajt ditën e hënë, nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, ka thënë Presidenca në reagimin e saj, raporton Telegrafi.

Mirëpo, nuk është vetëm incidenti në Aeroportin e Shkupit, që do ta ketë zemëruar presidenten Osmani në raport me kryeministrin Kurti, i cili për rastin reagoi pas pesë ditësh nga Shkupi.

Kryeministri e ka injoruar presidenten javën që shkoi edhe duke mos i shkuar në takimin e thirrur për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Më 31 korrik, Osmani ka zhvilluar një takim me partitë parlamentare. Presidentja e Kosovës, më pas, në konferencën për media ajo tha se nuk e di arsyen e mosparaqitjes së Kurtit në takim dhe sugjeroi që gazetarët ta pyesin atë, pse nuk kishte shkuar.

Ndërkohë, Kurti në rrjetet sociale ka shpërndarë informacione se më 31 korrik ka drekuar me disa ambasadorë me ftesë të shefit në largim të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ky veprim i Kurtit po shihet edhe si përpjekje e tij që të paraqitet në publik si figura më e rëndësishme politike dhe për këtë mendohet se nuk iu përgjigj takimit të thirrur nga presidentja Osmani.