Hapet panairi EXPOKOS 2024, bashkon liderët e industrisë dhe inovacionit në Prishtinë

Hapet panairi EXPOKOS 2024, bashkon liderët e industrisë dhe inovacionit në Prishtinë

Në Prishtinë sot është hapur panairi EXPOKOS 2024, ku liderët e industrisë dhe inovacionit janë mbledhur për dy ditë frymëzimi dhe rrjetëzimi.

Në hapjen e panairit mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili tha se panairet e tilla janë të rëndësishëm për të krijuar inovacione në biznes.“Kosova në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit dhe modernizimit në sektorin privat po shënon hapa të shpejtë dhe të qëndrueshëm. Pozicionuar në një pikë strategjike në Evropën Juglindore vendi ynë ofron qasje shumë të përshtatshme në tregjet evropiane, në Lindjen e mesme e në Afrikën veriore”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Kompanitë vendore pjesëmarrëse në këtë panair prezantuan produktet si dhe rëndësinë e tyre.Arkitektja, Egzontina Shabaj Gashi nga Aldex Group ka thënë se në këtë panair do të prezantohen Aldex Stone.“Jemi për herë të parë në këtë panair dhe është risi dhe për ne si kompani. Në shtandin tonë ne sot kemi prezantuar disa produkte nga fabrika jonë e përpunimit të gurëve natyralë, ku bën pjesë graniti, mermeri dhe gurët inxhinierikë”, ka thënë për Telegrafin Shabaj-Gashi.

Ndërsa, Valon Hoti nga kompania “Zinkune”, theksoi se kryesisht merren me produktet e metalit, të cilat përdoren për çati, fasada metalike, por edhe produkte të reja izoluese e që janë zëvendësues të plumbit e të membranave të ndryshme.