Grupi i dialogut dështoi? Deputetja Çupi fajëson shumicën: Kërkojmë koalicionet parazgjedhore
Edhe pse afati i veprimtarisë së grupit të dialogut përfundon në muajin korrik, përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës janë shumë larg dakordësisë për ndryshimet e pritshme të kodit zgjedhor.
“Nuk do të doja të thosha që ka dështuar, ne vazhdojmë të besojmë se PS do t’i thërrasë arsyes, do t’i thërrasë seriozitetit politik”
Në intervistën për RTSH-në, deputetja e PD-së, Dhurata Çupi tha se mazhoranca ka refuzuar rimbledhjen e grupit të dialogut, nga mbledhja e fundit zhvilluar disa jave më parë, ku kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, paraqiti tha ajo platformën për reformën zgjedhore, veçanërisht për votën e emigrantëve.
“Zoti Celibashi tha ‘po’, Shqipëria ka nevojë sot për një reformë të thelluar zgjedhore”, u shpreh Çupi.
Çupi e konsideron padrejtësi ndaj opozitës mungesën e dakordësisë së mazhoranës për të rikthyer koalicioneve parazgjedhore.
“Kemi përcaktuar prioritetet e reformës zgjedhore, kthimin e marrëveshjes së 5 qershorit, Rama e theu marrëveshjen, të gjithë i dimë format e pandershëm që përdori për të mos zbatuar marrëveshjen. Ne kërkojmë kthimin e koalicioneve parazgjedhore, ndërkohë PS nuk dëshiron reformë zgjedhore, ata duan që siç i kanë marrë kaq vite zgjedhjet në tavolinë, me hile, mënyra ekstraligjore, kërkojnë të marrin edhe zgjedhjet e vitit 2025”, deklaroi deputetja demokrate.
Edhe pse për disa javë ka munguar komunikimi me koleget e shumicës, Çupi zbulon për RTSH-në se ky komunikim ka qene intensiv me faktorin ndërkombëtar, të cilët i kanë rekomanduar politikës shqiptare disa propozime për ndryshimet në kodin zgjedhor.