Gresa Caka-Nimani rizgjidhet në krye të Gjykatës Kushtetuese edhe për një mandat

Gresa Caka-Nimani rizgjidhet në krye të Gjykatës Kushtetuese edhe për një mandat

Gresa Caka-Nimani është rizgjedhur në krye të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës edhe për një mandat.

Vendimi është marrë sot në seancën administrative nga gjyqtarët e Kushtetueses.

“Në seancën administrative të mbajtur më 5 qershor 2024, në përputhje me Nenin 114, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë rizgjedhur kryetaren aktuale të Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, për një mandat të dytë në krye të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Mandatin e parë në krye të Kushtetueses, Caka-Nimani e kishte filluar më 17 maj 2021. Ajo është dekretuar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2015.

Deri në emërimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).

Ajo ka qenë pjesëmarrëse në grupe të ndryshme punuese për hartimin e legjislacionit në fushën e sundimit të ligjit. Gjatë viteve 2006-2008, ajo ka qenë koordinatore dhe këshilltare e mbështetjes së Qeverisë Amerikane për Grupin Punues dhe më pas, Komisionin Kushtetues përgjegjës për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Studimet për drejtësi, Gresa Caka-Nimani i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (2004), ndërsa magjistraturën në fushën e integrimeve evropiane dhe regjionalizmit e ka përfunduar në Universitetin e Grazit, Austri (2007). Ajo aktualisht vijon studimet për doktoratë në fushën e së drejtës kushtetuese në Universitetin e Grazit, duke u fokusuar në ndërkombëtarizimin e kushtetutbërjës.