Familja e Faton Hajrizit autorizon avokatin Koci për tërheqjen e trupit nga Serbia
Familja e Faton Hajrizit ka autorizuar avokatin Arianit Koci për tërheqjen e trupit të djalit të tyre, i cili u vra ditë më parë në Serbi.
Koci tha se sot kishte takim me familjarët e Faton Hajrizit nga edhe ky mori autorizimin.
“Sot u takova me nënën e të ndjerit Fatonit, e cila më dha autorizimin e saj. Ajo ishte e shoqëruar nga vëllai i vogël i Fatonit në zyrën time. Kam filluar menjëherë kontaktet me autoritetet në Beograd dhe jam në koordinim me ambasadorin Jetish Jashari, shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd. Deri tani kemi përfunduar disa detyra dhe sot kam kontaktuar Institutin e Mjekësisë Ligjore atje”, tha Koci.
Avokati ka shtuat se ende nuk kanë identifikuar vendndodhjen e trupit të të ndjerit.
“Ende nuk e kemi identifikuar vendndodhjen e trupit të të ndjerit. Opsionet e mundshme janë Beogradi, Shidi ose Novi Sadi. Sapo të marr informacionin e saktë, do të nisem menjëherë, shpresoj brenda ditës së nesërme ose pasnesër. Kam të gjitha dokumentet e nevojshme dhe do të vazhdoj me procedurat,” ka thënë Koci.