Erdogani i gatshëm të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se Turqinë dhe Sirinë nuk e pengon asgjë që të rivendosin lidhjet diplomatike që u ndërprenë në fillimin e luftës civile siriane më shumë se një dekadë më parë.
Komentet e tij erdhën vetëm disa ditë pasi presidenti sirian, Bashar al-Assad, bëri komente të ngjashme, duke treguar një gatishmëri midis dy vendeve fqinje për t’i dhënë fund tensioneve dhe për të normalizuar marrëdhëniet.
“Nuk ka asnjë arsye pse lidhjet diplomatike të mos vendosen”, u tha Erdogan gazetarëve.
“Në të njëjtën mënyrë si i mbajtëm të gjalla marrëdhëniet tona me Sirinë në të kaluarën, ne patëm takime me zotin Assad që përfshinin takime familjare, nuk mund të themi se kjo nuk do të ndodhë më”, tha Erdogan.
Bëhet e ditur se ai i referohej një pushimi që familjet Erdogan dhe Assad bënë në Turqinë jugore në vitin 2008, përpara se marrëdhënia e tyre të përkeqësohej.
Gjatë konfliktit sirian, Turqia mbështeti grupet e armatosura të opozitës në veriperëndim të vendit me synimin për të larguar Assadin nga pushteti, shkruan abcnews.
Ndërkohë, qeveria siriane ka dënuar në mënyrë të përsëritur kontrollin e Ankarasë mbi një territor që ajo pushtoi përmes disa inkursioneve ushtarake që nga viti 2016, duke synuar forcat kurde të mbështetura nga SHBA-ja, të cilat Turqia i konsideron si terroriste.
Por, mediat shtetërore siriane raportuan se Assad ka pohuar se marrëdhëniet midis Sirisë dhe Turqisë mund të rregullohen, “bazuar në sovranitetin e shtetit sirian mbi të gjitha territoret nga njëra anë dhe luftimi i të gjitha formave të terrorizmit dhe organizatave nga ana tjetër”.
Erdogan u tha gazetarëve se Turqia respekton sovranitetin e Sirisë.
“Nuk ka dyshim që ne të kemi qëllim të ndërhyjmë në punët e brendshme të Sirisë”, tha Erdogan. “Populli i Sirisë janë vëllezërit tanë”, shtoi ai.
Siç raportohet, Turqia është përpjekur të rregullojë marrëdhëniet me Sirinë pasi qeveria përballet me presion të shtuar në vend për të riatdhesuar miliona refugjatë sirianë mes një rënieje të madhe ekonomike dhe rritjes së ndjenjës kundër refugjatëve.
Vitin e kaluar, ministrat e jashtëm turk dhe sirian u takuan në Moskë së bashku me homologët e tyre nga Rusia dhe Irani, duke shënuar kontaktin e nivelit më të lartë midis Ankarasë dhe Damaskut që nga fillimi i luftës civile siriane.