Edhe dy muaj paraburgim për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të dyshuar për spiunazh

Edhe dy muaj paraburgim për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të dyshuar për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve B.Sh dhe M.Q, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special më datë 05.07.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit dy të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj, për secilin”, tha Gashi.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dy me etni shqiptare, u arrestuan nga Policia e Kosovës më 05.06.2024 për shkak të dyshimit për spiunazh.

Gjatë batisjes në shtëpitë e të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

Që të dy janë arrestuar muajin dhe pjesë e aksionit ka qenë edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Dënueshmëria minimale për këtë vepër është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.