Dialogu pezull deri në shtator, kujt po i konvenon?

Dialogu pezull deri në shtator, kujt po i konvenon?

Derisa qeveria në Kosovë pret ndryshime në procesin e dialogut nga figurat e reja që pritet të zëvendësojnë krye-diplomatin, Borrell e emisarin Lajçak, ata kanë folur edhe për komentet që do t’i dërgojnë për marrëveshjen bazike. Ndërkohë, pauza prej 2 muajsh në këtë proces, sipas opozitës, i duhet qeverisë për arsye elektorale.

Pauzën prej të paktën dy muajsh të procesit të dialogut, e kanë mirëpritur nga Qeveria.

Takimi i fundit i kryenegociatorëve, megjithëse pa rezultate konkrete, rezultoi me kërkesë që palët të dërgojnë komente për Marrëveshjen Bazike, por sipas tyre, do të insistohet në kërkesat e njëjta.

“Unë e di që ne vazhdojmë të mbesim tek i njëjti qëndrim që kemi pasur qysh nga fillimi dhe do ta mbrojmë atë qëndrim përderisa nuk ka ndonjë situatë të re kur do ta shohim Serbinë e cila i rikthehet dialogut dhe pranon të nënshkruaj marrëveshjen bazike në bazë të së cilët është ndërmarr gjithçka”, ka thënë për TV Dukagjinin deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu.

Megjithatë, pritjet e tyre janë për figura të reja në krye të procesit të dialogut, duke aluduar në fundin e mandatit të kryediplomatit Borrell dhe emisarit Lajçak.

Por të paktën ky i fundit, pavarësisht diskutimeve, do të mbetet në pozitën deri në janarin e ardhshëm.

“E vetmja gjë që mund të them për këtë çështje është se ka një rekomandim për të zgjatur mandatin e Miroslav Lajçak si Përfaqësues i Posaçëm për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera regjionale të Ballkanit Perëndimor, për pesë muaj, deri më 31 Janar 2025. Vendimi lidhur me këtë do të merret nga Këshilli”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.

Pauza, sipas Time Kadriaj nga AAK i duhet shumicës për arsye elektorale.

“Dialogu veçse ka qenë i pezulluar dhe duke e ditur që jemi në vit zgjedhor kjo i konvenon Qeverisë dhe Vetëvendosjes, ky pezullim sepse kanë marr obligime karshi faktorit ndërkombëtar, karshi marrëveshjeve të pranuara në Bruksel dhe tash nuk guxon të thotë që këto marrëveshje i ka pranu”, ka thënë Kadrijaj.

Në takimin e fundit në Bruksel në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq-it të Serbisë, përveç diskutimit të shumë temave, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.

Takimi i tyre erdhi pas tentativës së dështuar të Brukselit për t’i bërë bashkë kryeministrin Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në një takim trepalësh, bashkë me kryediplomatin në largim të BE-së, Borrell./TV Dukagjin