Chelsea ka nisur procedimin disiplinor ndaj futbollistit argjentinas Enco Fernandez

Chelsea ka nisur procedimin disiplinor ndaj futbollistit argjentinas Enco Fernandez

LONDËR – Klubi anglez i futbollit Chelsea ka nisur një procedim të brendshëm disiplinor kundër lojtarit argjentinas Enco Fernandez pasi ai publikoi një video në rrjetet sociale që, sipas Federatës Franceze të Futbollit, përfshin thirrje të supozuara “raciste dhe diskriminuese”, raporton BBC.

Federata franceze njoftoi të martën se do të paraqesë një ankesë në organin drejtues të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) për një video incizim të një kënge të kënduar nga lojtarë individualë të ekipit argjentinas për lojtarët francezë.

Shoku i skuadrës së Fernandez në Chelsea, Vesli Fofana, i cili ka një ndeshje për Francën, postoi një foto të pamjeve në Instagram duke e përshkruar atë si "racizëm të shfrenuar".

Futbollisti argjentinas tha se i vinte shumë keq për videon që postoi teksa Argjentina po festonte fitimin e Kupës së Amerikës.

"Kënga përmban një gjuhë shumë fyese dhe nuk ka absolutisht asnjë justifikim për këto fjalë. Unë qëndroj kundër diskriminimit në të gjitha format dhe kërkoj falje që jam kapur në euforinë e festës sonë të Copa America. Ajo video, ato momente, ato fjalë nuk reflektojnë bindjet e mia apo karakteri im”, tha Fernandez.

Chelsea vlerësoi se çdo formë diskriminimi është plotësisht e papranueshme.

"Ne e njohim dhe vlerësojmë faljen publike të lojtarit tonë dhe do ta përdorim këtë si një mundësi për edukim. Klubi ka nisur procedurat e brendshme disiplinore. Ata e konsiderojnë çdo formë të sjelljes diskriminuese si krejtësisht të papranueshme. Ne jemi krenarë që jemi një klub i larmishëm, gjithëpërfshirës ku njerëz nga të gjitha kulturat, komunitetet dhe identitetet janë të mirëseardhur”, njoftoi klubi.

FA franceze do të kontaktojë FA të Argjentinës për një video që Fernandez postoi në mediat sociale pasi Argjentina mundi Kolumbinë 1-0 në finalen e Copa América të dielën.

Në deklaratën e Federatës Franceze thuhet se presidenti Filip Dijalo “dënon ashpër vërejtjet e papranueshme dhe diskriminuese ndaj lojtarëve të skuadrës franceze”.

“Përballë seriozitetit të këtyre deklaratave tronditëse, në kundërshtim me vlerat e sportit dhe të drejtave të njeriut, presidenti i Federatës ka vendosur të ankohet drejtpërdrejt tek kolegu i tij argjentinas dhe FIFA dhe të bëjë një ankesë ligjore për komente fyese dhe diskriminuese racore. ”, thuhet në deklaratën e Federatës Franceze.

Federata argjentinase ende nuk ka bërë të ditur asgjë.

Chelsea ka shtatë lojtarë nga Franca që janë me ngjyrë ose të përzier në ekipin e tyre të parë - Fofana, Aksel Disasi, Benoit Badijašil, Lesli Ugochukwu, Kristofer Nkunku, Malo Gusto dhe Malang Sar.

Argjentina mundi Francën në finalen e Kupës së Botës 2022 në Katar.