Bekim Haxhiu kërkon seancë të jashtëzakonshme, shkak deklarata e ministres së Drejtësisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka bërë thirrje për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar çështjen e sigurisë në burgjet e vendit.
Kjo kërkesë e tij vjen pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka hedhur dyshime se Serbia ka ndërhyrë në burgjet e Kosovës duke u mundësuar disa të burgosurve të arratisen.
Në postimin e tij në Facebook, Bekim Haxhiu tha:
“Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet të mbajë seancë të jashtëzakonshme për sigurinë në burgjet e Kosovës. Kjo është e domosdoshme pas deklaratës së ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu, se Serbia ka hyrë në burgjet e Kosovës.”
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë një deklarate lidhur me rastin e arratisjes së Faton Hajrizit, tha se është e rëndësishme të theksohet se arratisjet e personave të kërkuar nga institucionet e Kosovës po ndodhin drejt territorit të Serbisë.
“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar dhe lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës së Kosovës,” tha ministrja Haxhiu.