Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj
Ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, është arrestuar mëngjesin e së enjtes, njoftoi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), njofton Radio Evropa e Lirë.
“Arrestimi i Ilir Beqajt është kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK-u nuk dha hollësi të tjera për këtë rast, as për çfarë akuzash u arrestua ai.
Por, mësohet se arrestimi i tij lidhet me hetimet që prokurorët janë duke i kryer për një rast të dyshuar për korrupsion kur Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Kjo agjenci u krijua në tetor të vitit 2021 me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kishte si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore.
Ndër përgjegjësitë e kësaj agjencie, ishte dhe mbështetja e Ministrisë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe t’i mbështeste misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj.
Përveç Beqajt, u arrestuan edhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie.
Ndërkohë, Ilir Beqja është duke u hetuar edhe një rast tjetër të ndarë, i cili lidhet me dyshimet për abuzime në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.