Albert Zogaj zgjidhet edhe për një mandat kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Albert Zogaj është zgjedhur edhe për një mandat në krye të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Zogaj u zgjodh në këtë pozitë në takimin e 328-të të Këshillit të enjten dhe ishte kandidati i vetëm që i hyri kësaj gare.
Për pozitën e kryesuesit, Zogaj u votua pro unanimisht nga 10 anëtarët e Këshillit që ishin prezentë në votim.
Mandati i tij i ri në krye të KGJK-së fillon më 7 korrik 2024 deri në përfundim të mandatit të tij si anëtar i Këshillit.
Para votimit, Zogaj tha se tri shtyllat për mandatin e ardhshëm do të jenë: efikasiteti, cilësia e vendimmarrjes dhe besimi i publikut.
“Do të synoj që të kemi një gjyqësor transparent, të pavarur, ndërtim të besimit të publikut në gjyqësor, partneritetin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, tha Zogaj.
Gjithashtu, ai tha se në mandatin e tij paraprak si kryesues së bashku më anëtarët e KGJK-së kanë arritur të rekrutojnë 124 gjyqtarë të rinj, 204 bashkëpunëtorë profesional, 127 zyrtarë ligjorë dhe 104 pozita tjera brenda për brenda gjyqësorit.
Komisioni i ngarkuar për procesin e përzgjedhjen së kryesuesit fillimisht sqaroi se Zogaj ka plotësuar kushtet pasi që ka marrë tri nënshkrimet e nevojshme nga anëtarët e KGJK-së, konkretisht nga Teuta Ibrahimi, Drita Rexha dhe Arjeta Sadiku që të jetë kandidat për kryesues.
Kujtojmë se më 14 qershor 2024, KGJK kishte shpallur pozitën për përzgjedhjen e kryesuesit të KGJK-së, duke u dhënë mundësi që kandidatët potencial të aplikojnë për këtë pozitë deri më 29 qershor 2024.
Zogaj ishte përzgjedhur në këtë pozitë më 23 qershor të vitit 2021 me mandat trevjeçar, duke e pasuar ish-kryesuesin Skender Çoçaj. Ndryshe, Zogaj mandatin si kryesues i KGJK-së e kishte marrë më 7 korrik 2021 dhe i përfundon më 7 korrik 2024.
Albert Zogaj ishte zgjedhur si anëtar i KGjK-së më 10 maj 2021 dhe atë nga radhët e gjyqtarit të Gjykatës Supreme të Kosovës me mandat pesëvjeçar, i cili mandat i përfundon në vitin 2026.