Abdixhiku lavdëron punën që po bëjnë kryetarët e LDK-së nëpër komuna, thotë se beteja e tyre nuk është shtypja e mediave
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka kritikuar pushtetin aktual, ndërsa ka lavdëruar punën që po bëjnë kryetarët e komunave që i përkasin LDK-së.
Abdixhiku thotë se beteja e LDK-së nuk është shtypja e mediave, transmeton Telegrafi.
“Vazhdojmë! Beteja jonë nuk është shtypja e mediave. As instalimi i ndarjes e përçarjes mes njerëzve tanë. Frustrimi popullor nuk është dhe s’ka qenë asnjëherë vlerë e popullit të Kosovës; prandaj përpjekjet e importuara për ngecje në urrejtje do t’i refuzojmë! Kemi kohë pak, e aq shumë punë përpara”, thotë ai.
Tutje, ai ka treguar për punët që po bëhen në Obiliq.
“Prandaj, pas çerdhes në Lipjan, vazhdojmë sot me punimet e mëdha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq. Shtim i hapësirave, shtim i kapaciteteve, shtim i shërbimeve – në mënyrë që kjo QKMF të ofrojë kujdes modern shëndetësor për secilin banorë në këtë qytet! Sepse kemi punë. Sepse Kosova ka aq shumë punë! Sepse e ardhmja e jo përçarja, bën preokupimin tonë”, shton ai.